KESHILLI PAPNOR Të Krishterë dhe Myslimanë:së bashku për të mposhtur dhunën mes besimtarëve të feve të ndryshmeMESAZHI NË PËRFUNDIM TË RAMAZANIT ‘Id al-Fitr 1431 H./2010 A.D. Qytet i Vatikanit
Të dashur Miq Myslimanë, 1. Id al-Fitr, festa që mbyll muajin e Ramazanit, përbën sërish një rast të volitshëm për t’ju dërguar urimet e përzemërta për paqe dhe gëzim nga ana e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Gjatë këtij muaji, ju jeni angazhuar në lutje, në agjërim, në ndihmën e më nevojtarëve dhe në forcimin e lidhjeve mes të afërmve dhe miqve. Hyji nuk do t’i lerë pa i shpërblyer këto përpjekje! 2. Jam i lumtur kur mësoj se besimtarët e feve të tjera, veçanërisht të krishterët, ju qëndrojnë shpirtërisht afër në këto ditë, sikurse e tregojnë takimet miqësore që shpesh janë edhe një rast për biseda me natyrë fetare. Më pëlqen të mendoj gjithashtu se ky Mesazh mund të jetë një kontribut pozitiv për meditimet tuaja.
3.Nuk mund të mos konstatojmë se tema e sugjeruar këtë vit prej Këshillit Papnor, Të Krishterë dhe Myslimanë: së bashku për të mposhtur dhunën mes besimtarëve të feve të ndryshme, është, për fat të keq, një temë shumë aktuale, të paktën në disa rajone të botës. Nga ana tjetër, Komiteti Miks për Dialogun, i themeluar prej këtij Këshilli Papnor dhe prej Komitetit të Përhershëm të al-Azhar për Dialogun mes Feve Monoteiste, e ka zgjedhur atë si objekt studimi, meditimi dhe ballafaqimi për mbledhjen e tij të fundit vjetore (Kajro, 23-24 shkurt 2010). Dëshiroj të ndaj bashkë me ju disa prej përfundimeve të botuara në mbarim të këtij takimi.
4. Ndër shkaqet e dhunës mes besimtarëve të feve të ndryshme mund të përmenden manipulimi i fesë për qëllime politike ose të një lloji tjetër, diskriminimi mbi bazën e etnisë ose të identitetit fetar, ndarjet dhe tensionet sociale. Injoranca, varfëria, zhvillimi i prapambetur, padrejtësia janë gjithashtu burime të drejtpërdrejta ose të tërthorta të dhunës jo vetëm mes bashkësive fetare, por edhe brenda tyre. Të urojmë që autoritetet civile dhe fetare të mund të japin kontributin e tyre për të zgjidhur situata të tilla për të mirën e përbashkët të të gjithë shoqërisë. Të urojmë gjithashtu që autoritetet civile të bëjnë të respektohet epërsia e së drejtës duke siguruar një drejtësi të vërtetë për të ndalur autorët dhe nxitësit e dhunës. 5. Në të njëjtin tekst gjenden edhe porosi të rëndësishme si: hapja e zemrave tona për falje reciproke dhe për pajtim, që të arrijmë një bashkëjetesë paqësore dhe të frytshme; njohja e asaj që kemi të përbashkët dhe të asaj që na dallon, si themeli i një kulture dialogu; njohja dhe respektimi i dinjitetit dhe i të drejtave të çdo qenieje njerëzore, pa asnjë dallim të bazuar në përkatësinë etnike ose fetare; nevoja për të shpallur ligje të drejta që garantojnë barazinë themelore mes të gjithëve; rëndësia e edukimit në drejtim të respektit, dialogut dhe vëllazërisë në hapësirat e ndryshme edukuese: në shtëpi, në shkollë, në kisha dhe në xhamia. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje që t’i kundërvihemi dhunës mes besimtarëve të feve të ndryshme dhe të nxisim paqen dhe harmoninë mes bashkësive të ndryshme fetare. Mësimet e krerëve fetarë, por edhe tekstet shkollorë që janë të kujdesshëm në paraqitjen e feve në mënyrë objektive, marrin, sikurse mësimi në tërësinë e tij, një rëndësi vendimtare në edukimin dhe në formimin e të rinjve. 6. Shpresoj që këto shqyrtime, sikurse edhe reagimet që ato do të shkaktojnë mes jush dhe në bisedat me miqtë tuaj të krishterë, do të mund të kontribuojnë në vazhdimin e një dialogu gjithnjë e më të respektueshëm dhe të shtruar, mbi të cilin lyp bekimet e Zotit!
Kardinal Jean-Louis Tauran Arqipeshkëv Pier Luigi Celata
KËSHILLI PAPNOR Telefon: 0039.06.6988 4321 E-mail: dialogo@interrel.va
|
|