Index   Back Top Print

[ CS  - DE  - EL  - EN  - ES  - FI  - FR  - HR  - HU  - IT  - KM  - MK  - MT  - MY  - NL  - PL  - PT  - RU  - SQ  - SR  - TH  - UK  - VI  - ZH ]

MESAZH I SHENJTËRISË SË TIJ
BENEDIKTI XVI
PËR DITËN XXIII BOTËRORE TË RINISË

 

«Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt,
i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi» (Vap 1, 8)

Të dashur të rinj!

1. Dita XXIII Botërore e Rinisë

Kujtoj gjithnjë me gëzim të madh çastet e ndryshme që kaluam së bashku në Këln, në gusht të vitit 2005. Në fund të atij manifestimi të paharrueshëm besimi dhe entuziazmi, që mbetet i pashlyer në shpirtin tim dhe në zemrën time, ju ftova për takimin e ardhshëm që do të mbahet në Sydney, në 2008. Do të jetë kjo Dita XXIII Botërore e Rinisë me temën: «Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi» (Vap 1, 8). Filli përcjellës i përgatitjes shpirtërore për takimin në Sydney është Shpirti Shenjt dhe misioni. Nëse në 2006 jemi ndalur për të përsiatur mbi Shpirtin Shenjt si Shpirt i së vërtetës, në 2007 do të përpiqemi ta zbulojmë më thellë si Shpirt të dashurisë për të ecur më pas drejt Ditës Botërore të Rinisë të 2008, duke reflektuar mbi Shpirtin e forcës dhe të dëshmisë, që na jep guximin për të jetuar Ungjillin dhe për ta shpallur. Pra është diçka themelore që secili prej jush, të rinj, në bashkësinë e vet dhe me edukatorët e vet, të mund të reflektojë mbi këtë protagonist të historisë së shpëtimit që është Shpirti Shenjt ose Shpirti i Jezusit, për të mbërritur këto qëllime të larta: të njohim identitetin e vërtetë të Shpirtit para së gjithash duke dëgjuar Fjalën e Hyjit në Zbulesën e Biblës; të jemi të vetëdijshëm qartazi për praninë e tij aktive të vazhdueshme në jetën e Kishës, në veçanti duke rizbuluar se Shpirti Shenjt paraqitet si “shpirti”, fryma jetësore e jetës së krishterë, falë sakramenteve të fillesës së krishterë – Pagëzimit, Përforcimit dhe Eukaristisë; të bëhemi kështu të aftë të piqemi në kuptimin e Jezusit gjithnjë më të thellë e të hareshëm dhe, njëkohësisht, të realizojmë një aktualizim të frytshëm të Ungjillit në agimin e mijëvjeçarit të tretë. Me këtë mesazh unë dëshiroj t’ju jap një udhë përsiatjeje për t’u thelluar gjatë këtij viti përgatitor, në të cilën të vërtetoni cilësinë e besimit tuaj në Shpirtin Shenjt, ta rigjeni nëse e keni humbur, ta shijoni si shoqëri të Atit dhe të Birit Jezu Krisht, pikërisht falë veprës së domosdoshme të Shpirtit Shenjt. Mos harroni kurrë se Kisha, madje njerëzimi mbarë, që është përreth jush dhe që ju pret në të ardhmen tuaj, pret shumë nga ju, të rinj, sepse keni në vetvete dhuratën më të lartë të Atit, Shpirtin e Jezusit.

2. Premtimi i Shpirtit Shenjt në Bibël

Dëgjimi i vëmendshëm i Fjalës së Hyjit në lidhje me misterin dhe veprën e Shpirtit Shenjt na çel ndaj njohurive të mëdha dhe nxitëse që po i përmbledh në pikat e mëposhtme.

Pak përpara ngjitjes së tij në qiell, Jezusi u tha dishepujve: «Unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim» (Lk 24,49). Kjo u realizua ditën e Rrëshajës, kur ata ishin të mbledhur në lutje në Çenakull me Virgjërën Mari. Ndikimi i Shpirtit Shenjt mbi Kishën që po lindte qe përmbushja e një premtimi të Hyjit shumë më të lashtë, të shpallur dhe të përgatitur në të gjithë Besëlidhjen e Vjetër.

Në fakt, që në faqet e para Bibla flet për shpirtin e Hyjit si për një frymë që «endej përmbi ujëra» (khs Zan 1,2) dhe saktëson që Hyji nëpër hundë i futi njeriut frymën e jetës (khs Zan 2, 7), duke i futur në këtë mënyrë vetë jetën. Pas mëkatit origjinal, shpirti gjallërues i Hyjit do të shfaqet disa herë në historinë e njerëzve, duke lindur profetë për të nxitur popullin e zgjedhur që të kthehet tek Hyji dhe të zbatojë besnikërisht urdhërimet e tij. Në vegimin e njohur të profetit Ezekiel, Hyji e bën të rijetojë me shpirtin e tij popullin e Izraelit, të paraqitur nga “eshtra të thata” (khs 37,1-14). Joeli profetizon një “ndikim të shpirtit” mbi të gjithë popullin, pa përjashtuar askënd: «E pas këtyre – shkruan Autori i shenjtë - do ta ndikoj Shpirtin tim mbi çdo njeri... Madje edhe mbi skllevër të mi ‑ burra e gra, në ato ditë do ta ndikoj Shpirtin tim» (3, 1-2).

Në “kohën e caktuar” (khs Gal 4, 4), engjëlli i Zotit i shpall Virgjërës së Nazaretit se Shpirti Shenjt, “fuqia e Hyjit të Tejetlartë”, do të zbresë dhe do të shtrihet mbi të hija e tij. Ai që ajo do të lindë do të jetë pra i shenjtë dhe do të quhet Biri i Hyjit (khs Lk 1, 35). Sipas shprehjes së profetit Isaia, Mesia do të jetë ai mbi të cilin do të ulet Shpirti i Zotit (khs 11, 1-2; 42, 1). Pikërisht këtë profeci rimerr Jezusi në fillim të veprimtarisë së tij publike në sinagogën e Nazaretit: «Shpirti i Zotit – tha Ai mes habisë së të pranishmëve – është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit» (Lk 4, 18-19; khs Is 61, 1-2). Duke iu drejtuar të pranishmëve, do t’ia veshë vetvetes këto fjalë profetike duke pohuar: «Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj» (Lk 4, 21). Dhe përsëri, para vdekjes së tij në kryq, do t’ia shpallë më se një herë dishepujve ardhjen e Shpirtit Shenjt, “Ngushëlluesit”, misioni i të cilit do të jetë ai i të dëshmuarit dhe i mbështetjes së besimtarëve, duke i mësuar ata dhe duke i çuar drejt së Vërtetës së plotë (khs Gjn 14,16-17.25-26; 15,26; 16,13).

3. Rrëshaja, pikënisje e misionit të Kishës

Mbrëmjen e ditës së ringjalljes së tij Jezusi duke iu shfaqur dishepujve «hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt”» (Gjn 20,22). Me më shumë forcë akoma Shpirti Shenjt zbriti mbi Apostujt ditën e Rrëshajës: «Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli – lexohet në Veprat e Apostujve – si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre» (2, 2-3).

Shpirti Shenjt i ripërtëriu nga brenda Apostujt, duke i veshur me një fuqi që i bëri të guximshëm në të shpallurit pa frikë: «Krishti ka vdekur dhe është ringjallur!». Të çliruar nga çdo frikë ata fillojnë të flasin haptazi (khs Vap 2, 29; 4, 13; 4, 29.31). Nga peshkatarë të frikësuar ishin bërë mbrojtës guximtarë të Ungjillit. Deri edhe armiqtë e tyre nuk arrinin të kuptonin se si njerëz «të thjeshtë e të pashkollë» (khs Vap 4, 13) ishin në gjendje të tregonin një guxim të tillë dhe të duronin kundërshtitë, vuajtjet dhe përndjekjet me gëzim. Asgjë nuk mund t’i ndalte. Atyre që mundoheshin t’ua mbyllnin gojën u përgjigjeshin: «Ne nuk mundemi që të mos flasim për çka kemi parë e dëgjuar» (Vap 4, 20). Kështu lindi Kisha, e cila që nga dita e Rrëshajës nuk ka rreshtur së rrezatuari Lajmin e Mirë «deri në skajin e botës» (Vap 1, 8).

4. Shpirti Shenjt, shpirt i Kishës dhe parim bashkimi

Por për të kuptuar misionin e Kishës duhet të kthehemi në Çenakull ku dishepujt qëndruan së bashku (khs Lk 24, 49), duke u lutur me Marinë, me “Nënën”, në pritje të Shpirtit të premtuar. Tek kjo ikonë e Kishës fillestare duhet të frymëzohet vazhdimisht çdo bashkësi e krishterë. Pjelloria apostolike dhe misionare nuk është parësisht rezultat i programeve dhe metodave baritore të përpunuara me mjeshtëri dhe të “frytshme”, por është fryt i lutjes së parreshtur bashkësiore (khs Pali VI, Thirrja. apost. Evangelii nuntiandi, 75). Frytshmëria e misionit presupozon, përveç kësaj, që bashkësitë të jenë të bashkuara, të kenë pra «një shpirt e një zemër të vetme» (khs Vap 4, 32), dhe të jenë të gatshme për të dëshmuar dashurinë dhe gëzimin që Shpirti Shenjt ndikon në zemrat e besimtarëve (khs Vap 2, 42). Shërbëtori i Hyjit Gjon Pali II pati shkruar se para se të jetë veprim, misioni i Kishës është dëshmi dhe rrezatim (khs Enc. Redemptoris missio, 26). Kështu ndodhte në fillimet e krishtërimit, kur paganët, shkruan Tertuliani, ktheheshin duke parë dashurinë që mbretëronte mes të krishterëve: «Shiko – thonë – si duhen mes tyre» (khs Apologetico, 39 § 7).

Duke përfunduar këtë shikim të shkurtër mbi Fjalën e Hyyjit në Bibël, ju ftoj të vini re se si Shpirti Shenjt është dhurata më e lartë e Hyjit ndaj njeriut, pra dëshmia më e lartë e dashurisë së tij për ne, një dashuri që shprehet konkretisht si “po ndaj jetës” që Hyji dëshiron për çdo krijesë të tijën. Kjo “po ndaj jetës” e ka formën e saj të plotë në Jezusin e Nazaretit dhe në fitoren e tij mbi të keqen me anë të shëlbimit. Në lidhje me këtë të mos harrojmë kurrë se Ungjilli i Jezusit, pikërisht në sajë të Shpirtit, nuk reduktohet në një konstatim të thjeshtë, por dëshiron të bëhet “lajmi i mirë për të varfërit, çlirimi për të burgosurit, shikimi për të verbërit...”. Është ajo çka u shfaq me gjallëri ditën e Rrëshajës, duke u bërë hir dhe detyrë e Kishës përkundrejt botës, misioni i saj parësor.

Ne jemi frytet e këtij misioni të Kishës nëpërmjet veprës së Shpirtit Shenjt. Ne mbartim brenda vetes atë vulë dashurie të Atit në Jezu Krishtin që është Shpirti Shenjt. Mos ta harrojmë kurrë këtë, sepse Shpirti i Zotit kujtohet gjithmonë për secilin dhe, veçanërisht nëpërmjet jush, të rinj, dëshiron të zgjojë në botë erën dhe zjarrin e një Rrëshaje të re.

5. Shpirti Shenjt "Mësues i brendshëm"

Të dashur të rinj, edhe sot Shpirti Shenjt vazhdon pra të veprojë me fuqi në Kishë dhe frytet e tij janë të bollshme në masën në të cilën ne jemi të gatshëm t’i çelemi fuqisë së tij ripërtëritëse. Për këtë është e rëndësishme që secili prej nesh Ta njohë, të hyjë në marrëdhënie me Të dhe të lihet të udhëhiqet nga Ai. Por në këtë pikë lind natyrshëm një pyetje: kush është për mua Shpirti Shenjt? Në fakt nuk janë të pakët ata të krishterë për të cilët Ai vazhdon të jetë “i panjohuri i madh”. Ja pse, duke u përgatitur për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, kam dashur t’ju ftoj të përthellojmë njohjen vetjake të Shpirtit Shenjt. Në shpalljen tonë të besimit shpallim: «Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëbërës dhe rrjedh prej Atit e prej Birit» (Simboli i Niçesë-Kostandinopojë). Po, Shpirti Shenjt, Shpirti i dashurisë i Atit dhe i Birit, është Burim jete që na shenjtëron, «sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua» (Rom 5,5). Megjithatë nuk mjafton Ta njohim; duhet Ta pranojmë si udhëheqës të shpirtrave tanë, si “Mësuesin e brendshëm” që na fut në Misterin trinor, sepse vetëm Ai mund të na çelë ndaj besimit dhe të na bëjë të mundur që ta jetojmë çdo ditë me plotësi. Ai na shtyn drejt të tjerëve, ndez në ne zjarrin e dashurisë, na bën misionarë të dashurisë së Hyjit.

E di mirë sa ju të rinjtë mbartni në zemër vlerësim të madh dhe dashuri për Jezusin, si dëshironi Ta takoni dhe të flisni me Të. Mirë pra, kujtoni se pikërisht prania e Shpirtit në ne vërteton, përbën dhe ndërton personin tonë mbi vetë personin e Jezu Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur. Le të bëhemi pra të afërm të Shpirtit Shenjt, që të jemi të afërm të Jezusit.

6. Sakramenti i Përforcimit dhe ai i Eukaristisë

Por – do të thoni ju – si mund ta lëmë veten të na ripërtërijë Shpirti Shenjt dhe të rritemi në jetën tonë shpirtërore? Përgjigjja – e dini – është: është e mundur nëpërmjet Sakramenteve, sepse besimi lind dhe përforcohet në ne falë Sakramenteve, parësisht përmes atyre të fillesës së krishterë: Pagëzimi, Përforcimi dhe Eukaristia, që janë bashkëplotësues dhe të pandashëm (khs Katekizmi i Kishës Katolike, 1285). Kjo e vërtetë mbi tre Sakramentet që janë në fillim të të qenit tonë të krishterë mbase lihet pas dore në jetën e besimit të jo pak të krishterëve, për të cilët janë gjeste të kryera në të kaluarën pa një ndikim të vërtetë mbi të sotmen, si rrënjë pa limfën e jetës. Ndodh që, pasi kanë marrë Përforcimin, shumë të rinj largohen nga jeta e besimit. Dhe ka edhe nga ata të rinj të cilët as që e marrin këtë sakrament. E pra është me anë të Sakramenteve të Pagëzimit, të Përforcimit dhe më pas, në mënyrë të vazhdueshme, të Eukaristisë që Shpirti Shenjt na bën bij të Atit, vëllezër të Jezusit, anëtarë të Kishës së tij, të aftë për një dëshmi të vërtetë të Ungjillit, të aftë për të shijuar gëzimin e besimit.

Ju ftoj pra të reflektoni për sa po ju shkruaj këtu. Sot është posaçërisht e rëndësishme të rizbulojmë sakramentin e Përforcimit dhe t’i rigjejmë vlerat për rritjen tonë shpirtërore. Kush ka marrë sakramentet e Pagëzimit dhe të Përforcimit le të kujtojë se është bërë “tempull i Shpirtit”: Hyji banon në të. Të jetë gjithnjë i vetëdijshëm për këtë dhe të bëjë të mundur që thesari që gjendet tek ai të japë fryte shenjtërie. Kush është i pagëzuar, por nuk ka marrë akoma sakramentin e Përforcimit, le të përgatitet për ta marrë duke ditur se në këtë mënyrë do të bëhet një i krishterë “i plotë”, sepse sakramenti i Përforcimit përkryen hirin pagëzimor (khs KKK, 1302-1304).

Përforcimi na jep një forcë të veçantë për të dëshmuar dhe lavdëruar Hyjin me krejt jetën tonë (khs Rom 12, 1); na bën thellësisht të vetëdijshëm për përkatësinë ndaj Kishës, “Trup i Krishtit”, gjymtyrë të gjalla të të cilit të gjithë ne jemi, solidarë njëri me tjetrin (khs 1 Kor 12, 12-25). Duke e lënë veten të udhëhiqet nga Shpirti, çdo i krishterë mund të japë kontributin e tij në ndërtimin e Kishës falë karizmave që Ai jep, sepse «secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët» (1 Kor 12, 7). Dhe kur Shpirti vepron sjell në shpirtin tonë frytet e tij që janë: «dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria» (Gal 5, 22). Atyre që mes jush nuk e kanë marrë ende sakramentin e Përforcimit u bëj nga zemra ftesën që të përgatiten për ta marrë, duke i kërkuar ndihmë priftërinjve të tyre. Është një rast i veçantë hiri që ju ofron Zoti: mos lini t’ju shpëtojë!

Do të doja të shtoja këtu një fjalë mbi Eukaristinë. Për t’u rritur në jetën e krishterë, është e nevojshme të ushqehemi me Trupin dhe Gjakun e Krishtit: në fakt, jemi të pagëzuar dhe të përforcuar për Eukaristinë (khs KKK, 1322; Thirrja Apost. Sacramentum caritatis, 17). “Burim dhe kulm” i jetës kishtare, Eukaristia është një “Rrëshajë e përjetshme”, sepse çdo herë që kremtojmë Meshën e Shenjtë marrim Shpirtin Shenjt që na bashkon më thellësisht me Krishtin dhe në Të na shndërron. Nëse, të dashur të rinj, do të merrni pjesë shpesh në Kremtimin eukaristik, nëse do t’i përkushtoni pak nga koha juaj adhurimit të Sakramentit të Shenjtërueshëm, nga Burimi i dashurisë, që është Eukaristia, do t’ju vijë vendosmëria e hareshme për t’ia kushtuar jetën ndjekjes së Ungjillit. Do të shihni në të njëjtën kohë se aty ku nuk mbërrijnë fuqitë tona, është Shpirti Shenjt që na shndërron, na mbush me fuqinë e tij dhe na bën dëshmitarë plot me zjarrin misionar të Krishtit të ringjallur.

7. Nevoja dhe urgjenca e misionit

Shumë të rinj e shohin jetën e tyre me shqetësim dhe i bëjnë vetes shumë pyetje rreth së ardhmes së tyre. Ata pyesin veten të shqetësuar: Si të hyjmë në një botë të shenjuar nga padrejtësi të shumta e të rënda dhe vuajtje? Si të reagojmë ndaj egoizmit dhe dhunës që ndonjëherë duket se fitojnë? Si t’i japim një kuptim të plotë jetës? Si të kontribuojmë në mënyrë që frytet e Shpirtit që kemi kujtuar më parë, “dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria” (nr. 6), ta mbushin këtë botë të plagosur e të brishtë, sidomos botën e të rinjve? Në ç’kushte Shpirti gjallërues i krijimit të parë dhe sidomos i krijimit të dytë apo shëlbimit mund të bëhet shpirti i ri i njerëzimit? Mos të harrojmë se sa më e madhe të jetë dhurata e Hyjit – dhe ajo e Shpirtit të Jezusit është më e madhja – po aq e madhe është nevoja e botës për ta marrë dhe pra i madh dhe apasionues është misioni i Kishës për të dhënë dëshmi të besueshme. Dhe ju të rinj, me Ditën Botërore të Rinisë, në një farë mënyre tregoni vullnetin për të marrë pjesë në këtë mision. Për sa i përket kësaj, të dashur miq, dëshiroj t’ju kujtoj këtu disa të vërteta bazë mbi të cilat të përsiasni. Edhe një herë ju përsëris se vetëm Krishti mund t’i përmbushë aspiratat më intime të zemrës së njeriut; vetëm Ai është i aftë ta njerëzojë njerëzimin dhe ta çojë drejt “hyjnizimit” të tij. Me fuqinë e Shpirtit të tij Ai ndikon në ne dashurinë hyjnore, që na bën të aftë të duam të afërmin dhe të gatshëm të vihemi në shërbim të tij. Shpirti Shenjt ndriçon, duke zbuluar Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur, na tregon udhën për t’u bërë më të ngjashëm me Të, për të qenë pra “shprehje dhe mjet dashurie që nga Ai buron” (Enc. Deus caritas est, 33). Dhe kush e lë veten të udhëhiqet nga Shpirti e kupton se të vihesh në shërbim të Ungjillit nuk është një zgjedhje me dëshirë, sepse ndjen sa urgjente është t’ia përcjellë edhe të tjerëve këtë Lajm të Mirë. Megjithatë, duhet ta kujtojmë sërisht, mund të jemi dëshmitarë të Krishtit vetëm nëse lihemi të udhëhiqemi prej Shpirtit Shenjt, që është «veprimtari kryesor i ungjillizimit» (khs Evangelii nuntiandi, 75) dhe «protagonisti i misionit» (khs Redemptoris missio, 21). Të dashur të rinj, siç kanë përsëritur më se një herë Parardhësit e mi të nderuar Pali VI dhe Gjon Pali II, të shpallësh Ungjillin dhe të dëshmosh besimin është sot më tepër se kurrë e nevojshme (khs Redemptoris missio, 1). Dikush mendon se t‘i paraqesësh thesarin e çmuar të besimit personave që nuk e bashkëndajnë do të thotë të jesh mostolerant ndaj tyre, por nuk është kështu, sepse të propozosh Krishtin nuk do të thotë ta detyrosh atë (khs Evangelii nuntiandi, 80). Dhe nga ana tjetër, para dymijë vjetësh dymbëdhjetë Apostuj kanë dhënë jetën që Krishti të njihej dhe të duhej. Që nga ajo kohë Ungjilli në shekuj vazhdon të përhapet falë burrave dhe grave të gjallëruar nga i njëjti zell misionar i tyre. Edhe sot duhen dishepuj të Krishtit që të mos kursejnë kohë dhe energji për t’i shërbyer Ungjillit. Duhen të rinj që të lënë të digjet brenda tyre dashurinë e Hyjit dhe t’i përgjigjen bujarisht thirrjes së tij urgjente, siç kanë bërë shumë të rinj të lumtur e shenjtër të së kaluarës dhe edhe të kohëve më pranë nesh. Në veçanti ju siguroj se Shpirti i Jezusit ju fton sot ju të rinjve të jeni mbartës të lajmit të mirë të Jezusit për bashkëmoshatarët tuaj. Vështirësia që pa dyshim ndeshin të rriturit në afrimin e sferës së rinisë në mënyrë të kuptueshme dhe bindëse mund të jetë një shenjë me të cilën Shpirti do t’ju shtyjë ju të rinjtë që të ngarkoheni me këtë barrë. Ju njihni idelaet, gjuhët, dhe edhe plagët, pritshmëritë, dhe së bashku dëshirën e bashkëmoshatarëve tuaj për të mirën. Çelet bota e gjerë e dashurive, e punës, e formimit, e pritjes, e vuajtjes rinore... Secili prej jush të ketë guximin t’i premtojë Shpirtit Shenjt se do t’i sjellë një të ri Jezu Krishtit, në mënyrën që i duket më e mira, duke ditur t’i “jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, me butësi” (khs 1 Pjt 3,15).

Por për të arritur këtë qëllim, të dashur të rinj, jini të shenjtë, jini misionarë, sepse nuk mund të ndahet kurrë shenjtëria nga misioni (khs Redemptoris missio, 90). Mos kini frikë të bëheni misionarë si shën Françesk Saveri, që ka përshkuar Lindjen e Largët duke shpallur Lajmin e Mirë deri në pikë të fundit, apo si shën Tereza e Jezusit Fëmijë, që qe misionare edhe pse nuk e la kurrë Karmelin: si njëri ashtu edhe tjetra janë “Pajtorë të Misioneve”. Jini të gatshëm të vini në lojë jetën tuaj për të ndriçuar botën me të vërtetën e Krishtit; për t’iu përgjigjur me dashuri urrejtjes dhe përçmimit të jetës; për të shpallur shpresën e Krishtit të ringjallur në çdo cep të botës.

8. Të lusim një “Rrëshajë të re“ për botën

Të dashur të rinj, ju pres të shumtë në numër në korrik të vitit 2008 në Sydney. Do të jetë ky një rast i dhënë nga Provania për të eksperimentuar plotësisht fuqinë e Shpirtit Shenjt. Ejani të shumtë në numër, për të qenë shenjë shprese dhe mbështetje e çmuar për bashkësitë e Kishës në Australi që përgatiten për t’ju pritur. Për të rinjtë e Vendit që do të na presë do të jetë një rast i veçantë për t’i shpallur bukurinë dhe gëzimin e Ungjillit një shoqërie të shekullarizuar në shumë aspekte. Australia, si mbarë Oqeania, ka nevojë të rizbulojë rrënjët e saj të krishtera. Në Thirrjen post-sinodale Ecclesia in Oceania Gjon Pali II shkruante: «Me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Kisha në Oqeani po përgatitet për një ungjillizim të ri të popujve që sot kanë uri për Krishtin... Ungjillizimi i ri është një parësi për Kishën në Oqeani» (nr. 18).

Ju ftoj t’i kushtoni kohë lutjes dhe formimit tuaj shpirtëror në këtë pjesë të fundit të udhës që na çon në Ditën XXIII Botërore të Rinisë, që në Sydney të mund të përtërini premtimet e Pagëzimit tuaj dhe të Përforcimit tuaj. Së bashku do të thërrasim Shpirtin Shenjt, duke i kërkuar me besim Hyjit dhuratën e një Rrëshaje të ripërtërirë për Kishën dhe për njerëzimin e mijëvjeçarit të tretë.

Maria, e bashkuar në lutje me Apostujt në Çenakull, ju shoqëroftë gjatë këtyre muajve dhe fitoftë për të gjithë të rinjtë e krishterë një ndikim të ri të Shpirtit Shenjt që t’i ndezë zemrat. Kujtohuni: Kisha ka besim tek ju! Ne Barinjtë, në veçanti, lutemi që ta doni dhe të bëni që të tjerët ta duan gjithmonë e më tepër Jezusin dhe Ta ndiqni besnikërisht. Me këto ndjenja ju bekoj të gjithëve duke ju dashur shumë.

Nga Lorenzago, 20 korrik 2007

BENEDICTUS PP. XVI

 

 



Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana