zoomText
  • A
  • A
  • A
pdf
PDF generation in progress.....

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË LEONI XIV PËR
DITËN XL BOTËRORE TË RINISË 2025

23 nëntor 2025

AR  - DE  - EN  - ES  - FR  - IT  - PL  - PT  - SQ

«Edhe ju jepni dëshmi, sepse jeni me mua» (Gjn 15,27)

Të dashur të rinj!

Në fillim të këtij mesazhi të parë që ju drejtoj, dua para së gjithash t’ju them faleminderit! Faleminderit për gëzimin që përcollët kur erdhët në Romë për Jubileun tuaj, dhe faleminderit edhe të gjithë të rinjve që u bashkuan me ne në lutje nga çdo anë e botës. Ishte një ngjarje e çmuar për të ripërtërirë entuziazmin e fesë dhe për të bashkëndarë shpresën që djeg në zemrat tona! Prandaj, të bëjmë që takimi jubilar të mos mbetet një çast i veçuar, por të shënojë, për secilin prej jush, një hap përpara në jetën e krishterë dhe një nxitje të fortë për të qëndruar në dëshminë e fesë.

Kjo dinamikë qëndron pikërisht në qendër të Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do ta kremtojmë të dielën e Krishtit Mbret, më 23 nëntor, dhe që do të ketë si temë: «Edhe ju jepni dëshmi, sepse jeni me mua» (Gjn 15,27). Me fuqinë e Shpirtit Shenjt, si shtegtarë të shpresës përgatitemi që të bëhemi dëshmitarë të guximshëm të Krishtit. Le të fillojmë, pra, që tani një rrugëtim që do të na udhëheqë deri në kremtimin ndërkombëtar të DBR-së në Seul, në vitin 2027. Në këtë perspektivë dua të ndalem në dy aspekte të dëshmisë: miqësia jonë me Jezusin, që e pranojmë prej Hyjit si dhuratë; dhe angazhimi i secilit në shoqëri, si ndërtues i paqes.

Miq, prandaj dëshmitarë

Dëshmia e krishterë lind nga miqësia me Zotin, i kryqëzuar dhe i ngjallur për shpëtimin e të gjithëve. Ajo nuk ngatërrohet me propagandë ideologjike, por është një parim i vërtetë i shndërrimit të brendshëm dhe i ndjeshmërisë shoqërore. Jezusi deshi t’i quajë “miq” dishepujt të cilëve ua bëri të njohur Mbretërinë e Hyjit dhe u kërkoi të qëndrojnë me Të, për të formuar bashkësinë e tij dhe për t’i dërguar që të shpallin Ungjillin (krh. Gjn 15,15.27). Prandaj, kur Jezusi na thotë: “Jepni dëshmi”, Ai po na siguron se na çmon miqtë e vet. Vetëm Ai e njeh plotësisht se kush jemi dhe pse jemi këtu: njeh zemrën tuaj, o të rinj, tronditjen tuaj përballë diskriminimeve dhe padrejtësive, dëshirën tuaj për të vërtetën dhe për bukurinë, për gëzimin e për paqen; me miqësinë e tij ju dëgjon, ju nxit dhe ju udhëheq, duke e thirrur secilin për një jetë të re.

Shikimi i Jezusit, që do gjithmonë e vetëm të mirën tonë, na paraprin (krh. Mk 10,21). Ai nuk na do si shërbëtorë, as si “aktivistë” të ndonjë partie: na thërret të rrimë me Të si miq, që jeta jonë të ripërtërihet. Dhe dëshmia lind vetvetiu nga risia e gëzueshme e kësaj miqësie. Është një miqësi e pashoqe, që na jep bashkim me Hyjin; një miqësi besnike, që na bën të zbulojmë dinjitetin tonë dhe të tjetrit; një miqësi e përjetshme, që as vdekja s’e shkatërron dot, sepse ka në të Kryqëzuarin e Ngjallur burimin e saj.

Le të mendojmë për mesazhin që Gjoni apostull na lë në fund të Ungjillit të katërt: «Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë» (Gjn 21,24). I gjithë rrëfimi i mëparshëm përmblidhet si një “dëshmi”, plot mirënjohje e mahnitje, nga një dishepull që nuk e përmend kurrë emrin e vet, por quhet “dishepulli që Jezusi e donte”. Ky emërtim është pasqyrimi i një marrëdhënieje: nuk është emri i një individi, por dëshmia e një lidhjeje personale me Krishtin. Ja çfarë ka vërtet rëndësi për Gjonin: të jetë dishepull i Zotit dhe të ndihet i dashur prej Tij. Kështu kuptojmë se dëshmia e krishterë është fryt i marrëdhënies së fesë dhe dashurisë me Jezusin, në të cilin gjejmë shpëtimin e jetës sonë. Ajo që shkruan Gjoni apostull vlen edhe për ju, të dashur të rinj. Krishti ju fton që ta ndiqni dhe të uleni pranë Tij, për ta dëgjuar zemrën e Tij dhe për ta bashkëndarë nga afër jetën e Tij! Secili prej jush është për Të një “dishepull i dashur”, dhe nga kjo dashuri lind gëzimi i dëshmisë.

Një tjetër dëshmitar i guximshëm i Ungjillit është Pararendësi i Jezusit, Gjon Pagëzuesi, që «i bëri dëshmi dritës, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij» (Gjn 1,7). Edhe pse gëzonte famë të madhe në popull, ai e dinte mirë se ishte vetëm një “zë” që tregon Shpëtimtarin: «Ja Qengji i Hyjit» (Gjn 1,36). Shembulli i tij na kujton se dëshmitari i vërtetë nuk synon të zërë skenën, nuk kërkon ndjekës që t’i lidhë pas vetes. Dëshmitari i vërtetë është i përvujtë dhe i lirë në shpirt, para së gjithash nga vetvetja, domethënë nga pretendimi për të qenë në qendër të vëmendjes. Prandaj është i lirë të dëgjojë, të interpretojë dhe ta thotë të vërtetën para kujtdo, madje edhe përballë të pushtetshmëve. Nga Gjon Pagëzuesi mësojmë se dëshmia e krishterë nuk është kumtim i vetes sonë dhe nuk kremton aftësitë tona shpirtërore, intelektuale ose morale. Dëshmia e vërtetë është të njohësh dhe të tregosh Jezusin, i vetmi që na shpëton, kur Ai shfaqet. Gjoni e njohu mes mëkatarëve, i zhytur në njerëzishmërinë e përbashkët. Për këtë arsye Papa Françesku ka këmbëngulur aq shumë: nëse nuk dalim nga vetvetja dhe nga zonat tona të rehatisë, nëse nuk afrohemi te të varfrit dhe tek ata që ndihen të përjashtuar nga Mbretëria e Hyjit, ne nuk e takojmë dhe nuk e dëshmojmë Krishtin. Humbasim gëzimin e ëmbël të të qenit të ungjillëzuar dhe ungjillëzues.

Të dashur, e ftoj secilin prej jush që ta vazhdojë kërkimin, në Bibël, të miqve dhe dëshmitarëve të Jezusit. Duke lexuar Ungjijtë, do të vini re se të gjithë e kanë gjetur në marrëdhënien e gjallë me Krishtin kuptimin e vërtetë të jetës. Në të vërtetë, pyetjet tona më të thella nuk gjejnë as dëgjim, as përgjigje në scrolling-un e pafund në celular, që të rrëmben vëmendjen, por që ta lodh mendjen e dhe zemrën ta lë bosh. Nuk na çojnë larg nëse i mbajmë të mbyllura në vetvete ose në rrethe shumë të ngushta. Përmbushja e dëshirave tona më të vërteta kalon gjithmonë përmes daljes nga vetja.

Dëshmitarë, prandaj misionarë

Në këtë mënyrë, ju të rinj, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, mund të bëheni misionarë të Krishtit në botë. Shumë bashkëmoshatarë tuaj përballen me dhunë, detyrohen të përdorin armë, të ndahen nga të dashurit e tyre, të migrojnë e të ikin. Shumë të tjerëve u mungojnë arsimimi dhe të mirat themelore. Të gjithë bashkëndajnë me ju kërkimin e kuptimit dhe pasigurinë që e shoqëron, shqetësimin për shkak të presioneve shoqërore ose të punës, vështirësinë për të përballuar krizat familjare, ndjesinë e dhimbshme të mungesës së mundësive, brejtjen për gabimet e bëra. Ju vetë mund të viheni në krah të të rinjve të tjerë, të ecni me ta dhe t’u tregoni se Hyji, në Jezusin, u bë i afërm me çdo njeri. Siç e pëlqente ta përsëriste Papa Françesku: «Krishti tregon se Hyji është afërsi, dhembshuri dhe butësi» (Let. enc. Dilexit nos, 35).

Është e vërtetë: jo gjithmonë është e lehtë të japësh dëshmi. Në Ungjij e ndeshim shpeshherë tensionin midis pranimit dhe refuzimit të Jezusit: «Drita ndriti në errësirë, por errësira nuk e pranoi» (Gjn 1,5). Po kështu, dishepulli-dëshmitar e përjeton në vetën e parë refuzimin dhe nganjëherë edhe kundërshtimin e dhunshëm. Zoti nuk e fsheh këtë realitet të dhimbshëm: «Nëse mua më salvuan edhe ju do t’ju salvojnë» (Gjn 15,20). Por pikërisht kjo gjë bëhet rast për ta vënë në praktikë urdhërimin më të lartë: «Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju salvojnë» (Mt 5,44). Kështu kanë vepruar martirët që në fillim të Kishës.

Të dashur të rinj, kjo nuk është një histori që i përket vetëm së kaluarës. Ende sot, në shumë vende të botës, të krishterët dhe njerëzit vullnetmirë vuajnë përndjekje, shpifje dhe dhunë. Ndoshta edhe ju keni qenë të prekur nga kjo përvojë e dhimbshme dhe ndoshta jeni tunduar të reagoni me instinkt, duke rënë në të njëjtin nivel me ata që ju kanë refuzuar, duke marrë qëndrime agresive. Por le ta kujtojmë këshillën e urtë të Shën Palit: «Mos lejo të të mundë e keqja, por munde të keqen me të mirën» (Rom 12,21).

Mos t’u lëshojë zemra, pra: si shenjtërit, edhe ju jeni të thirrur të qëndroni me shpresë, sidomos përballë vështirësive dhe pengesave.

Vëllazëria si lidhje paqeje

Nga miqësia me Krishtin, që është dhuratë e Shpirtit Shenjt brenda nesh, lind një mënyrë jetese që në vetvete bart karakterin e vëllazërisë. Një i ri që ka takuar Krishtin çon kudo “ngrohtësinë” dhe “shijen” e vëllazërisë, dhe kushdo që bie në kontakt me të ndihet i tërhequr drejt një përmase të re e të thellë, e përbërë nga afërsia pa interes, nga dhembshuria e sinqertë dhe butësia besnike. Shpirti Shenjt na bën ta shohim tjetrin me sy të rinj: në tjetrin ka një vëlla, një motër!

Dëshmia e vëllazërisë dhe e paqes, që lind nga miqësia me Krishtin, na ngre përmbi indiferencën dhe përtacinë shpirtërore, duke na ndihmuar që t’i kapërcejmë mbylljet dhe dyshimet. Ajo gjithashtu na lidh me njëri-tjetrin, duke na shtyrë që të angazhohemi së bashku, nga vullnetarizmi te dashuria politike, për të krijuar kushte të reja jete për të gjithë. Mos i ndiqni ata që përdorin fjalët e fesë për të ndarë: përkundrazi, organizohuni për të hequr pabarazitë dhe për të pajtuar bashkësi të përçara e të shtypura. Prandaj, miq të dashur, ta dëgjojmë zërin e Hyjit brenda nesh dhe ta mposhtim egoizmin tonë, duke u bërë artizanë të palodhur të paqes. Atëherë ajo paqe, që është dhuratë e Zotit të Ngjallur (krh. Gjn 20,19), do të bëhet e dukshme në botë përmes dëshmisë së përbashkët të atyre që mbartin në zemër Shpirtin e Tij.

Të dashur të rinj, përballë vuajtjeve dhe shpresave të botës, ta ngulisim shikimin te Jezusi. Ndërsa Ai po jepte shpirt mbi kryq, ia besoi Virgjërën Mari Gjonit si nënë, dhe atë asaj si bir. Ajo dhuratë e fundit dashurie është për çdo dishepull, për të gjithë ne. Prandaj ju ftoj që ta pranoni këtë lidhje të shenjtë me Marinë, Nënën plot dashuri dhe mirëkuptim, duke e ushqyer posaçërisht me lutjen e Rruzares. Kështu, në çdo rrethanë të jetës, do ta përjetojmë se nuk jemi kurrë vetëm, por gjithmonë bij të dashur, të falur dhe të inkurajuar prej Hyjit. Për këtë gjë, jepni dëshmi me gëzim!

Nga Vatikani, më 7 tetor 2025, Përkujtimi Shën Maria Virgjër e Rruzares.

LEONI PP. XIV