Index   Back Top Print

[ AM  - AR  - BE  - BG  - CS  - DA  - DE  - EN  - ES  - FA  - FI  - FR  - HI  - HR  - HU  - HY  - IT  - JA  - KO  - LT  - LV  - ML  - NO  - PL  - PT  - RO  - RU  - SK  - SL  - SQ  - SV  - SW  - TA  - TI  - UK  - ZH ]

AKTI I KUSHTIMIT ZEMRËS SË PAPËRLYER TË MARISË

 

O Shën Mari, Nënë e Zotit e Nëna jonë, ne, në këtë orë mundimesh, të drejtohemi ty. Ti je Nënë, na do dhe na njeh: asgjë nga ç’kemi në zemër nuk është e fshehtë për ty. Nënë e mëshirës, ​​sa herë e kemi provuar butësinë e provanisë tënde, praninë tënde që sjell paqen, sepse ti na drejton gjithnjë kah Jezusi, Princi i paqes.

Por ne e kemi humbur rrugën e paqes. E kemi harruar leksionin e tragjedive të shekullit të kaluar, flijimin e miliona të rënëve në luftërat botërore. I kemi shpërfillur impenjimet e marra si Bashkësi Kombesh dhe po i tradhtojmë ëndrrat e popujve për paqe e shpresat e të rinjve. Jemi sëmurë nga lakmia, jemi mbyllur në interesa nacionaliste, e kemi lënë indiferencën të na e thajë zemrën dhe egoizmin të na paralizojë. Kemi preferuar ta injorojmë Zotin, të jetojmë me gënjeshtra, të ushqejmë agresivitetin, të vrasim jetë e të grumbullojmë armë, duke harruar se jemi kujdestarë të të afërmit e të shtëpisë sonë të përbashkët. E kemi shkatërruar me luftë kopshtin e Tokës, e kemi plagosur me mëkat zemrën e Atit tonë, që na do vëllezër e motra. Jemi bërë indiferentë ndaj të gjithëve dhe gjithçkaje, përveç vetes sonë. E me turp, të themi: na fal, o Zot!

Në mjerimin e mëkatit, në mundin dhe brishtësinë tonë, në misterin e paudhësisë të së keqes dhe luftës, ti, o Nënë Shenjte, na kujton se Zoti nuk na braktis, por vazhdon të na shohë me dashuri, me dëshirën për të na falur e për të na ngritur sërish në këmbë. Është Ai, që të bëri dhuratë për ne dhe e ktheu Zemrën tënde të Papërlyer në strehë për Kishën e për njerëzimin. Je me ne, për hir të mirësisë hyjnore e, edhe në kthesat më të ankthshme të historisë, na udhëheq me butësi.

Prandaj, të drejtohemi ty, trokasim në portën e Zemrës tënde, ne, bijtë e tu të dashur, që në çdo kohë, nuk lodhesh duke i vizituar e duke i ftuar për kthesë. Në këtë orë të errët, eja të na ndihmosh e të na ngushëllosh. Përsëriti secilit prej nesh: “A s’jam këtu unë, Nëna jote?” Ti di si ta zgjidhësh lëmshin e zemrave tona dhe nyjet e kohës sonë. Ne kemi besim tek ti. Jemi të sigurt që, veçanërisht në çastin e sprovës, ti nuk i përbuz lutjet tona dhe na vjen në ndihmë.

Kështu bëre në Kanë të Galilesë, kur e shpejtove orën e ndërhyrjes së Jezu Krishtit dhe i paraqite botës shenjën e tij të parë. Kur festa ishte kthyer në trishtim, i the: “Nuk kanë verë” (Gjn 2,3). Përsëritja prapë Zotit, o Nënë, se sot e kemi mbaruar verën e shpresës, na është zhdukur gëzimi, na është pakësuar vëllazërimi. E kemi humbur humanizmin, e kemi prishur paqen. Jemi bërë të aftë për çdo lloj dhune e shkatërrimi. Kemi nevojë urgjente për ndërhyrjen tënde prej nëne.

Pranoje, pra, o Nënë, këtë lutjen tonë.

Ti, yll i detit, mos na lër të mbytemi në stuhinë e luftës.

Ti, arka e besëlidhjes së re, na frymëzo plane e udhë pajtimi.

Ti, “toka e Qiellit”, ktheja botës mirëkuptimin e Zotit.

Zhduke urrejtjen, shuaje hakmarrjen, na mëso faljen.

Na liro nga lufta, ruaje botën nga kërcënimi bërthamor.

Mbretëresha e Rruzares, na e rizgjo nevojën për t’u lutur e për t’u dashur.

Mbretëresha e familjes njerëzore, tregoju popujve udhën e vëllazërimit.

Mbretëresha e paqes, nxirre prej Zotit paqen për botën.

Vaji yt, o Nënë, prektë zemrat tona të ngurtësuara. Lotët, që ke derdhur për ne, e bëfshin sërish të lulëzojë këtë luginë, tharë nga urrejtja jonë. E ndërsa zhurma e armëve nuk hesht, lutja jote të na përgatisë për paqen. Duart e tua prej nëne përkëdhelshin ata, që vuajnë e ikin nën peshën e bombave. Përqafimi yt amnor ngushëlloftë ata, që detyrohen të lënë shtëpitë dhe vendin e tyre. Zemra jote e pikëlluar, të na nxisë për dhembshuri e të na shtyjë t’i hapim dyert e të kujdesemi për njerëzimin e plagosur e të hedhur poshtë.

Nëna Shenjte e Zotit, kur ishe nën kryq, Jezusi, duke parë dishepullin pranë teje, të tha: “Ja biri yt” (Gjn 19,26). Kështu, ai të besoi secilin prej nesh. Pastaj, dishepullit, secilit prej nesh, i tha: “Ja nëna jote” (v. 27). O Nënë, duam tani të të pranojmë në jetën dhe në historinë tonë. Në këtë orë, njerëzimi, i rraskapitur dhe i tronditur, është nën kryq me ty. E, ka nevojë të ta besojë vetveten, t’i kushtohet Krishtit përmes teje. Populli ukrainas dhe populli rus, të cilët të nderojnë me dashuri, ty të drejtohen, ndërsa Zemra jote rreh për ta dhe për gjithë popujt e kositur nga lufta, uria, padrejtësia dhe mjerimi.

Prandaj, ne, o Nënë e Zotit dhe e jona, ia besojmë dhe ia kushtojmë solemnisht Zemrës tënde të Papërlyer vetveten, Kishën dhe mbarë njerëzimin, veçanërisht Rusinë dhe Ukrainën. Pranoje këtë aktin tonë, që e kryejmë me besim dhe dashuri, bëj të pushojë lufta, siguroji botës paqen. “Po”-ja, që të doli nga Zemra, ia hapi dyert e historisë Princit të Paqes; besojmë se sërish, përmes Zemrës tënde, do të vijë paqja. Pra, ty ta kushtojmë të ardhmen e gjithë familjes njerëzore, nevojat dhe pritshmëritë e popujve, ankthet dhe shpresat e botës.

Përmes teje, reshtë mbi Tokë Mëshira hyjnore dhe ritmi i ëmbël i paqes u ktheftë për të shënuar ditët tona. Grua e “po”-së, mbi të cilën zbriti Shpirti Shenjt, sille sërish ndërmjet nesh harmoninë e Zotit. Shuaje etjen e zemrës sonë të tharë, ti që “je gurra e gjallë e shpresës”. Ti që ende humanizmin e Jezu Krishtit, na bëj artizanë të bashkimit. Ti, që ece në rrugët tona, na udhëhiq në shtigjet e paqes. Amen.

 



Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana